Secondary Adv

Siguria e furnizimit me energji, raporti: Shqipëria ende pa plan gatishmërie

Shqipëria vijon të mos ketë një plan të miratuar për përgatitjen ndaj rreziqeve në sektorin energjetik, pavarësisht detyrimeve që burojnë nga legjislacioni i Bashkimit Europian.

Mungesë përafrimi me rregulloret e BE-së

Sipas raportit të fundit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Shqipëria nuk ka transpozuar ende Rregulloren (BE) 2019/941 për përgatitjen ndaj rreziqeve në sektorin e energjisë elektrike, ndërkohë që afatet ligjore kanë përfunduar që në janar dhe dhjetor 2023. Po ashtu, nuk është caktuar ende një autoritet kompetent për menaxhimin e këtyre rreziqeve, siç kërkohet nga kuadri europian.

 

Projektligji në diskutim, por pa zbatim konkret

Raporti thekson se një version pune i projektligjit për sektorin e energjisë elektrike, i shqyrtuar nga Sekretariati në korrik 2025, synon të transpozojë pjesërisht dispozitat e Rregullores (BE) 2019/941. Sipas këtij drafti, ministria përgjegjëse për energjinë elektrike do të caktohej si autoritet kompetent dhe do të kishte detyrimin të miratonte një plan përgatitjeje ndaj rreziqeve. Megjithatë, dokumenti nënvizon se transpozimi i plotë dhe zbatimi efektiv do të kërkojnë ende përpjekje të mëtejshme ligjore, si në legjislacionin parësor, ashtu edhe në atë dytësor.

 

Detyrime të pambyllura ndër vite

Përveç kësaj, Shqipëria nuk ka transpozuar ende as Rregulloren (BE) 2017/2196 dhe nuk ka paraqitur pranë Sekretariatit Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit me Energji Elektrike, pavarësisht detyrimit të parashikuar në nenin 29 të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

 

Vlerësim pozitiv për sigurinë kibernetike

Në kontrast me mangësitë në sektorin energjetik, raporti vlerëson disa zhvillime pozitive në fushën e sigurisë kibernetike. Në vitin 2024, Shqipëria miratoi ligjin e ri gjithëpërfshirës nr. 25/2024, i cili është pjesërisht i harmonizuar me Direktivën NIS2 të Bashkimit Europian për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit. Gjithashtu, u krijua Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), me rol koordinues dhe mbikëqyrës në këtë fushë.

 

Gaz dhe naftë, nivele të ndryshme zbatimi

Dokumenti analizon edhe sigurinë e furnizimit me gaz dhe naftë. Sipas raportit, sektori i gazit paraqitet më i avancuar në përmbushjen e kërkesave të përafrimit me BE-në, ndërsa sektori i naftës mbetet shumë pas, me një nivel realizimi prej vetëm 23% të planit të përafrimit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat